Secondary Adv

Fond për fatkeqësitë natyrore, 2.2 mln euro për 2027, bashkitë aplikojnë këtë vit

Qeveria ka akorduar 200 milionë lekë, ose rreth 2.2 milionë euro, për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore në vitin 2027. Bashkitë mund të aplikojnë nga nëntori 2026 deri më 25 janar 2027.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jenë subjektet përfituese dhe zbatuese të projekteve që do të financohen nga Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore për vitin 2027.


Për vitin 2027 është akorduar një fond prej 200 milionë lekësh, ose rreth 2.2 milionë eurosh, i cili është pjesë e buxhetit të programit “Emergjencat Civile” në Ministrinë e Mbrojtjes.


Thirrja për aplikime do të hapet në nëntor 2026 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 janar 2027, duke u dhënë mundësi bashkive të paraqesin projektet për financim.


Projektet fituese pritet të miratohen deri më 15 shkurt 2027

Projektet e përzgjedhura nga Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore do t'i përcillen Këshillit të Ministrave për miratim nga Ministria e Mbrojtjes brenda datës 1 shkurt 2027.


Ndërkohë, deri më 15 shkurt 2027, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë projektet e reja fituese, si dhe autoritetet kontraktore përgjegjëse për zbatimin e tyre.


Fondi i akorduar do të përdoret nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) për sigurimin e pajisjeve speciale për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore, në bashkëpunim me strukturat e industrisë ushtarake dhe Ministrinë e Mbrojtjes.


Sipas parashikimeve, përparësi në financim do të kenë projektet e investimeve që janë tashmë në proces. Financimi i tyre do të përfshihet në listën e investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, në përputhje me ecurinë e zbatimit.


Ministria e Mbrojtjes do të ketë gjithashtu mundësinë të kërkojë rialokime të fondeve ndërmjet projekteve, në përputhje me procedurat e miratuara për investimet publike.


Si do të vlerësohen projektet e bashkive?

Vlerësimi i aplikimeve do të kryhet nga Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, i kryesuar nga drejtori i AKMC-së.

Në përbërje të Komisionit do të jenë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Shoqatës për Autonomi Vendore.


Komisioni do të miratojë specifikimet, rregullat dhe kriteret për financimin e projekteve infrastrukturore dhe blerjen e pajisjeve për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Gjithashtu, ai do të kryejë vlerësimin e projekteve të paraqitura nga bashkitë.


Pranë AKMC-së do të ngrihet edhe sekretariati teknik, i cili do të mbështesë punën e Komisionit gjatë procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikimeve.


Fondi synon të mbështesë politikën kombëtare për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe të tjera, duke financuar ndërhyrje në nivel vendor, me fokus rritjen e kapaciteteve të bashkive për përballimin e emergjencave.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat